Gjimnazi i parë në Berat

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Gjimnazi i parë në Berat është hapur më 24 gusht 1898 në gjuhën shqipe. Ai kishte 146 studentë, gjashtë prej të cilëve ishin vajza. Gjimnazi u ngrit me ndihmën dhe asistencën e shoqatës "Bashkimi".

Vështrim[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në vitin 1898, në lagjen Goricë në banesën e avokatit të njohur Spiro Megu u çel gjimnazi arumun me drejtor mësuesin e diplomuar në Bukuresht, Llambi Goxhomani, (patriot i shquar beratas, më pas delegat në Kongresin e Beratit në 1920 dhe deputet në Parlamentin e parë shqiptar në 1917-1920). Trupi mësimor kishte drejtor Llambi Goxhomani dhe mësues Babë Dudë Karbunara, Llazar Kilica, Llazar Puli dhe Aleksandër Xhuvani, ku studionin djem dhe vajza e mësohej shqipja fshehurazi. Në vitin 1899, Babë Duda u bë nismëtar në krijimin e degës së shoqërisë “Bashkimi” në Berat. Punoi për shpërndarjen e librave në gjuhën shqipe. Kjo degë ngarkoi mësuesin Llambi Goxhomani, që kërkoi në Bukuresht çeljen e një gjimnazi arumun (në Berat jetonte një komunitet arumun, ardhur aty pas tre djegieve të Voskopojës). Me ndërhyrjen e shoqërisë së shqiptarëve të Bukureshtit, qëllimi u arrit.

Në kujtimet e tij Filip Kristoforidhi, i biri i Kostandin Kristoforidhit (që studioi aty kur jetoi tek halla e tij, motër e Kostandinit martuar tek Kapedanët) shkruan: “... rreth vitit 1898. kur kam mësuar tek gjimnazi i Beratit, Babë Dudë Karbunara jepte lëndën e italishtes dhe kontabilitet. Kam marrë prej shtëpisë një fjalor të Rosit italisht-shqip dhe ja kam dhënë Dudës…. Pasi i përkthente fjalët, na i mësonte t’i shqiptonim e shkruanim në gjuhën amëtare…”. Ky karshillëk nuk mbeti pa ndëshkim nga qeveria turke. E përshkruan Babë Duda në ditarin e tij: “… më 8 shtator 1905, sipas kalendarit Julian, qeveria turke arrestoi dhe burgosi Llambi Goxhomanin, që në 20 prill 1906, nën akuzën për vepra politike kundër shtetit, gjyqi e dënoi me tre vjet burg. Porse më 8 gusht 1906 u deklarua i pafajshëm nga gjyqi i apelit dhe pas 11 muajsh mbajtje në burg, u la i lirë…”.

Shih edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]