Wikipedia:Artikulli i javës/2024/13

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Fotografi shoqëruese për artikullin

Dea Dardane është një figurë gruaje e skalitur në mermer, që është gjetur në Kllokot dhe është pa mbishkrim por i takon shekujve II-III të erës sonë. Në të paraqitet veshja autoktone e grave, me elemente veçuese të kokës, nënkresës që i mbulon flokët dhe shamisë të rënë mbi supe. Ajo ka fytyrë vezake, sy të mëdhenj në trajtë bajameje dhe kapakë të theksuar. Bebëzat e theksuara kanë pozitë asimetrike, e djathta më lart dhe e majta më poshtë, çka bën që shikimi të duket hyjnor dhe jashtë realitetit tokësor. Për stoli ka vathët e mëdhenj në trajtë të kalaveshit të rrushit dhe qafore me varëse rrethore me një sferë të theksuar në mes. Varësja simbolizon diskun diellor, apo vetë diellin, e ngjashme me "Hyjneshën në fron" të periudhës eneolitike dhe të monumenteve të periudhës romake të Hyjneshës Dardane nga Romula Malva (Rumuni) dhe Branetiqit të Ulët (Serbi). Këto dhe fakti se Hyjneshën Dardane e njihnin të gjithë dhe se vjen nga hapësira jo larg Smirës, ku u gjet monumenti tjetër i saj, bën që monumenti të njihet me emrin "Busti i Hyjneshës Dardane" (më parë njihej me emrin: "Busti i gruas nga Kllokoti").